84-vjeçari Halil Basha, i cili u sulmua nga një qen pitbull pak ditë më parë ka ndërruar jetë në spitalin e Durrësit.

Pas një qëndrimi të gjate në reanimacion i moshuari nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të shumta në kokë e trup.

Qeni i racës Pitbull kishte dalë nga rrethimi i banesës së shtetasit Armand Lala, duke sulmuar agresivisht të moshuarin i cili po lëvizte në këmbë.

Për të larguar qenin nga trupi i të moshuarit, kanë ndërhyrë banorët e zonës si dhe një grua e cila e ka goditur qenin me automjet duke e larguar.

Për ngjarjen policia arrestoi Armand Lalën, nën akuzën e braktisjes së kafshëve që kërkojnë përkujdesje.

Lala, në dëshminë e tij ka thënë se ka qenë në punë dhe ka lënë 3 qentë të racës pitbull brenda rrethimit dhe ka kur ka ardhur është vënë në dijeni për ngjarjen nga fqinjët.

Por ky nuk është rasti i vetëm kur qentë kthehen në rrezik potencial për jetët e njerëzve.

Rreth 2 vjet më parë një fëmijë u sulmua në Tiranë, duke marrë plagë të rënda, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.

Për specialistët problemi kryesor në këto ngjarje qëndron në faktin se një pjesë e mirë e pronarëve nuk janë të trajnuar për të mbajtur një qen pitbull.

“Nuk është raca e keqe, është raca e fuqishme. Problemi kryesor nuk është te qeni po tek pronari. Një qen pitbull duhet trajnuar si duhet, duhet mësuar me fëmijët”.

Problem madhor për specialistët është edhe braktisja e këtyre qenve në rrugë.

“Kur del jashtë kontrollit duhet çuar në trajner. Jo çdokujt duhet t’i shitet një qen i tillë.”

Fakti që në Shqipëri ende nuk ka një regjistër kombëtar për qentë, e bën edhe më të pamenaxhueshme rrezikun nga qentë.

Tv Klan