Zbulohet shkaku i vdekjes së shqiptarit Edmond Preka, i cili u gjet i pajetë në një kanal të lumit Vera, në Aquila të Italisë, mëngjesin e së premtes.

36-vjeçari, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ra në kanal teksa po i ikte qenve. Muratori shqiptar, i cili la pas gruan dhe dy fëmijët e vegjël, 4 dhe 7 vjeç, sipas rezultateve të autopsisë, i frikësuar nga qentë u pengua duke përplasur kokën e më pas përfundoi në kanal.

Ai po kthehej në këmbë për në shtëpi, gjatë orëve të vona të së enjtes, kur ndodhi ngjarja e rëndë. Atë natë Preka ishte vonuar në një lokal në zonën e Bazzano. Pasi kishte biseduar me bashkëshorten në telefon, duke mos pasur makinë, ai ishte nisur në këmbë, rreth orës 18:00. Kishte kaluar nëpër disa rrugë lagjesh, për t’u futur në një rrugicë krah së cilës kalonte kanali dhe disa metra më tutje iu vërsulën të paktën 2 qen.

Besohet se nga frika ai ka nisur të vrapojë dhe nga errësira ka përfunduar në ujë. Autopsia konfirmoi se plagët e marra në trup nuk kanë ardhur nga qentë, por nga mbytja. Dyshimet janë se gjatë kohës që ka rënë në kanal, ai ka përplasur kokën dhe ka humbur ndjenjat.

Mediat fqinje shkruajnë se 36-vjeçari Preka ishte vendosur në Itali sëbashku me familjen rreth një vit më parë. Ishte bashkëshortja e tij, e cila e dalloi trupin e tij në kanal, pasi kishte dhënë alarmin tek autoritetet dhe ndodhej bashkë me ta në kërkim të 36-vjeçarit.

Hetimet e karabinierëve do të vijojnë, për të vënë para përgjegjësisë të zotët e qenve që sulmuan babain e 2 fëmijëve. Për të ndihmuar familjen e Prekës, që trupi i tij të prehet në atdhe, La Caritas në komunitetin e Paganica po mbledh fonde për të mbuluar shpenzimet.

//tvklan.al