Një komedian në Spanjë është sulmuar fizikisht teksa ndodhej në skenë.

Jaime Caravaca po jepte një shfaqje në Madrid kur Alberto Pugilato hyri furishëm në skenë dhe e qëlloi me grusht në kokë për një shaka seksuale ndaj djalit të tij, raporton New York Post.

Ngjarja ndodhi pasi komediani kishte reaguar pas një fotoje të postuar në X nga Pugilato, muzikant dhe aktivist i ekstremit të djathtë. Ky i fundit kishte ndarë një foto të djalit të tij 3-mujash me mbishkrimin “Krenari dhe lumturi”.

“Asgjë dhe askush s’mund ta parandalojë mundësinë që ai të bëhet gay dhe të lodhet duke lëpirë…”, shkroi Caravaca  sipas një ‘screenshot’-i që ka qarkulluar.

Pugilato s’e kurseu aspak dhe iu kundërpërgjigj: “Të siguroj se do të kërkosh falje për atë që the për djalin tim 3-muajsh dhe do të mësosh se jeta e vërtetë nuk është Twitter”. Fjalët e tij shpejt u bënë realitet pasi nuk ngurroi aspak të ngjitej në skenë dhe të grushtonte Caravaca.

Në videon e publikuar, Pugilato i ulëret dhe i kërkon që t’ia thotë përballë. Nuk dihet nëse ai do të përballet  me akuza për dhunë.

Vetë komediani reagoi më vonë duke thënë se ka marrë kërcënime me vdekje. “Ajo që nisi si shaka ishte një koment i pafat dhe i pavend nga ana ime. I kërkoi falje kujtdo që është prekur”, shkroi Caravaca. “Le  ta lëmë dhunën mënjanë dhe të bëjmë një botë më të mirë që njerëzit të rriten të lirë”.

Edhe Pugilato iu përgjigj këtij postimi duke e pranuar ndjesën e komedianit dhe duke i uruar më të mirat./tvklan.al