Një grua 31-vjeçare nga Turqia e quajtur Melek Ipek ka qëlluar për vdekje me çifte bashkëshortin e dhunshëm 36 vjeç. Melek u detyrua ta vriste pas torturave të vazhdueshme që po merrte nga ai.

Natën e krimit, burri i saj Ramazan Ipek e kishte lidhur atë me pranga, po ushtronte dhunë mbi të dhe e kërcënonte se do e vriste. Mes plagëve të marra Ipeku arriti të marrë armën dhe ta qëllojë atë për vdekje. Ajo direkt ka thirrur policinë dhe gjendja e saj kur u dorëzua ishte e rëndë, kishte të nxira në të gjithë trupin dhe fytyrën. Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Ipekun.

“Një natë më parë më tha se donte të ndahej dhe po flisnim se kush do t’i mbante fëmijët. Pasi ata ranë në gjumë filloi të më rrihte duke më lidhur duart me pranga. Më rrahu vazhdimisht duke më vendosur thikën në pjesë të ndryshme të trupit. Më kishte rënë të fikët dhe e gjeta veten në lakuriq në tualet. Ndjeva që më kishte përdhunuar. Gjatë gjithë natës më rrahu duke më lidhur me pranga. Më qëlloi edhe me çifte, por plumbi s’më kapi. Një moment, kur ai doli nga shtëpia unë mora çiften dhe qëndrova në cep të dhomës. Kur ai hyri sërish, shkelmoi derën dhe u hodh sipër. Arma u shkrep dhe mendova se do të vdisja aty, por pashë që u shtri në tokë dhe po i dilte gjak. Pastaj thirra policinë”, ishte deklarata e 31-vjeçares. /tvklan.al