Profesor i Shkencave Politike Nexhmedin Spahiu ka folur sot përmes një lidhjeje Skype për Klan News sa i takon tensioneve në veri të Kosovës.

Ai u shpreh me siguri se protestuesit që po krijojnë incidente atje janë të porositur nga Serbia.

“Janë edhe ca pengje, që i marrin për të kamuflur, ca njerëz të vjetër që i vendosin në radhë të parë për t’u dukur si një protestë qytetarë, natyrisht merren me dhunë. Pastaj zhvillohet kjo ndeshja, këtë nuk është se nuk e di KFOR apo ambasadat e huaja, por bëjnë sikur nuk e kuptojnë, opinioni publik duhet ta dijë.”

Janë njësi elitare speciale të Serbisë nuk janë qytetarë, beteja po bëhet për flamurin e Kosovës nëse në një nga komunat arrijnë ta përdhosin flamurin kjo është fitore për ta.

26 Majin (ditën e parë kur u shënuan incidente) ai e cilëson më të rëndësishme se dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurti i 2008-ës.

 “Ky është suksesi i parë i Kosovës, vendosja e flamurit në veri. Është akt besoj më i rëndësishëm se vete shpallja e pavarësisë, data 26 Maj më e rëndësishme se 17 Shkurti. Sigurisht aleatët kanë bërë vërejtje në mënyrë që të shmangin rrezikun që bart ky veprim, është si fëmija i vogël kur çohet në këmbë dhe familjarët i thonë kujdes, kujdes! Vërejtja e aleatëve mund tu kuptohet në këtë drejtim dhe vërtet ishte një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për Kosovën. Shikoni tani se si vijojnë të zbuten reagimet. Nëse KFOR do të tregohet efikas, natyrisht do ketë një perspektivë shumë më të mirë për ne. Ndeshja e parë mes policisë së Kosovës dhe asaj së Serbisë e evitoi KFOR-i duke ndërhyrë. Një numër i madh i policëve serbë tashmë janë të identifikuar, ndalen në kufi.”/tvklan.al