Në moshën 7-vjeçare si pasojë e shpërthimit të bombës, Sofie Kolgjini humbet shikimin ndërsa vëllai i saj ndërron jetë. Kjo ishte një goditje e jashtëzakonshme për të dhe veçanërisht për prindërit e saj.

Por, Sofie nuk u dorëzua. Ajo humbi shikimin, por jo dëshirën për të realizuar ëndrrat. Ajo arriti që me ndihmën dhe mbështetjen e prindërve dhe miqve, të ecte përpara dhe të ndiqte studimet. Sofie sot e ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka treguar për këmbënguljen, vullnetin e hekurt, mosdorëzimin përballë sfidave të jetës dhe suksesin e arritur.

Kolgjini sot është mësuese në Institutin e Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, por gjithashtu edhe këngëtare lirike, që numëron 4 koncerte recitale si pianiste dhe kantautore. Njëkohësisht ka marrë pjesë dhe në koncerte të ndryshme.

Sofie: Në fakt edhe kur kam shkuar në lice, disa miq dhe shokë më patën sugjeruar, edhe disa mësuese të mia, që të shkoja për kanto në shkollë të mesme. Sepse unë edhe gjatë shkollës kur isha në Institut kam marrë pjesë shumë në aktivitetet e fëmijëve si këngëtare. Por duke qenë se isha lidhur shumë me piano, vazhdova pianon në lice. Domethënë unë i kam patur paralelisht të dyja, i kam zhvilluar këto dy talente.

Mirela Milori: Mbarove të mesmen për piano dhe vazhdove Institutin e Lartë të Arteve?

Sofie: Po, kam mbaruar liceun për piano dhe për 10 vite kam punuar si pianiste në Pallatin e Kulturës në Burrel, në qytetin nga kam origjinën. Kam punuar atje dhe jam ndjerë shumë mirë në profesionin tim, kam qenë pianiste shoqëruese e grupit të valleve dhe në vitin ’96 kam vijuar studimet në Akademinë e Arteve për kanto, jam diplomuar si soprano lirike.

Mirela Milori: Gjithë kjo dëshirë, gjithë kjo këmbëngulje për të arritur, ti je një grua shumë e fortë, nga të buron?

Sofie: Unë mendoj që njeriut mund t’i ndodhin shumë gjëra në jetë. Gjithkush prej nesh ka diçka që ja bën jetën, si themi ne që nuk mund t’i shkojë jeta vaj. Gjithkush ka diçka që e pengon në ecurinë e gjërave të përditshme, ka një problem fizik, jo çdo gjë është në perfeksion tek njeriu. Për shembull, unë kam këtë kondicion fizik, por nëse do t’i nënshtrohesha kësaj gjëje që më ka ndodhur, atëherë do të thotë që asgjë nuk do të shkonte ashtu siç duhet. Por nëse njeriu i shikon gjërat, kërkon brenda vetes që të nxjerri energji pozitive, t’i shikojë gjërat me pozitivitet, me vullnet, me këmbëngulje nuk ka gjë që nuk mund të arrihet. Unë e kam pasur gjithmonë pikësynim në vetvete, që pozita ime fizike mos më verë poshtë, por ta vë unë poshtë./tvklan.al