Një 25-vjeçar mbeti i vrarë gjatë natës në kryeqytet pasi u qëllua nga policia. Ishte ora 01:45, kur Klodian Rasha u dallua nga efektivët e policisë në afërsi të Laprakës. Atij iu kërkua të ndalonte, por Rasha refuzoi dhe i drejtoi policisë një send, në dukje armë. Kjo bëri që një prej efektivëve të policisë të hapte zjarr ndaj të riut duke e lënë fillimisht të plagosur. Rasha u dërgua në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Në një informacion gjatë orëve të mëngjesit të kësaj të marte, Policia e Tiranës tha se në vendin e ngjarjes kishte gjetur një pistoletë me krehër e fishekë, që dyshohet se i përkiste viktimës.

Mbetet e paqartë se çfarë po bënte i riu i armatosur gjatë kësaj ore në rrugët e kryeqytetit, në një kohë kur qarkullimi pas orës 22:00 është i ndaluar. Klodian Rasha rezulton i dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016.

Efektivi i policisë u shoqërua menjëherë pas ngjarjes, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e saj vijojnë./tvklan.al