Familjarët e Arben Leshit që u vra 3 muaj më parë brenda burgut të Peqinit nga i burgosurit Sokol Mjacaj, nuk e kanë tërhequr ende trupin nga morgu pasi kanë pretenduar se viktima nuk është i afërm i tyre.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton se Prokuroria ka tentuar të identifikojë viktimën përmes gjurmëve të gishtave, proces i cili ka rezultuar i pamundur 3 muaj pas vdekjes.

Tashmë prokuroria do të identifikojë viktimën duke krahasuar ADN me familjarët e tij.

Pas identifikimit, në rast se familjarët ende refuzojnë varrimin, do t’i jepet leja bashkisë për ta kryer atë.

Dyshohet se familjarët kanë refuzuar trupin nga frika e një hakmarrje të mundshme.

Viktima Arben Lleshi ishte dënuar përjetësisht për vrasjen dhe më pas djegien e Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe në 2012. Pas kësaj ngjarje, familja Lleshi humbi dhe 4 pjesëtarë.

Arben Lleshi u vra në burgun e Peqinit në Dhjetor të vitit 2023 nga Sokol Mjacaj. Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit.

Klan News