Telefonata e parë që morën karabinierët ishte pak pas orës 13:00: Një burrë po ndjek një grua. Ngjarja pranë rrethrrotullimit të Binasca di Melegnano në Milano. Kur shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, gruaja ishte përtokë, e plagosur me 5 goditje thike në trup. 3 në kraharor, 2 tek këmbët.

Luljeta Heshta, 47-vjeçarja shqiptare është viktima e radhës për shkaqe xhelozie. Gruaja, sipas mediave fqinje, e dha frymën e fundit në 16:30, në sallën e operacionit të Humanitas di Rozzano, ku mjekët u përpoqën në mënyrë të dëshpëruar për ta shpëtuar nga vdekja.

Luljeta, e cila përdorte edhe emrin “Giulia”, kishte 2 jetë. Një ku jetonte me burrin dhe të dytën si prostitutë, po në zonën e Milanos. Për vrasjen e saj, autoritetet italiane arrestuan këtë të hënë partnerin e saj shqiptar, një 43-vjeçar me iniciale A.K. Ai ishte shoqëruar në polici ku u mor në pyetje gjatë gjithë natës, pasi autoritetet morën shumë dëshmi në vendin e ngjarjes. Luljeta jetonte me të prej 20 vjetësh.

Autori e ndoqi gruan nga pas dhe pasi e dhunoi fizikisht e goditi atë 5 herë me thikë. E gjithë ngjarja u dëshmua nga kalimtarë të shumtë. Luljeta Heshta kishte lindur në Peqin, por jetonte në Milano prej të paktën 10 vjetësh.

Dëshmitë e para për vrasësin e saj flisnin për një burrë të veshur me të zeza që pasi e goditi 47-vjeçaren u largua në këmbë. Autoritetet e gjetën në shtëpinë e viktimës, në zonën e Corvetto.

Ai mbante ende veshur rrobat që kishte pasur në momentin e krimit dhe ishte në gjendje të dehur. Fillimisht u justifikua duke thënë se kishte qenë gjatë gjithë ditës duke pirë në një lokal, por ra disa herë në kontradiktë me fjalët e tij. Nuk e pranoi krimin për të cilin akuzohet, por pranoi se kohët e fundit kishte pasur debate të shumta për shkaqe xhelozie me viktimën. Megjithatë, telekamerat, dëshmitë dhe tabulatet telefonike ishin mjaftueshëm për autoritetet që ta arrestonin./tvklan.al