Këshilli i Bashkimit Evropian zgjati mandatet e përfaqësuesve të posaçëm të BE-së në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë për dy vjet, përkatësisht deri më 31 gusht, 2023.

Përfaqësuesi special në Kosovë, Tomas Szunyog, ka marrë detyrën më 1 shtator, 2020, me misionin për të kontribuar në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në rajon dhe kontributin në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor, thuhet në ueb-faqen e Këshillit të BE-së.

Detyrë e tij është gjithashtu të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin e saj me BE-në, në përputhje me perspektivën e rajonit, me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe me konkluzionet përkatëse të Këshillit.

Szunyog ka punuar edhe më parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer si ambasador i Çekisë në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Përfaqësuesit Specialë të BE-së promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta dhe punojnë për çështje me interes të veçantë ose me interes për BE-në.

Aktualisht, nëntë përfaqësues specialë të BE-së mbështesin punën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell./REL