Më 13 prill në “Shihemi në Gjyq”, u transmetua një rast kompleks ku Astriti kërkoi që të përballej me gruan, Nadiren. Ajo erdhi e shoqëruar nga djali i tyre, Mondi. Gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan u mësua se konflikti qëndron për një apartament në Fier, i blerë me 50 mijë euro të cilat çifti kishte autorizuar djalin për ta blerë.
Ata nuk e kanë marrë certifikatën e pronësisë ndërsa dikush u ka kërkuar të largohen sepse banesa është e tija. Rezultoi që apartamenti i blerë prej ndërtuesit Njazi Vrenozi është shitur dy herë. Gjatë lidhjes telefonike në studio, ai u zotua se në seancën e radhës do të paraqitej publikisht përpara familjes së Astritit dhe do të ishte i shoqëruar nga dëshmitarë.
Në seancën e kësaj jave, Ardit Gjebrea vë re se në peshore s’qëndron asnjë nga emrat e përmendur në seancën e kaluar. Eni Çobani zbulon se Njazi Vrenozi e ka shkelur fjalën e dhënë dhe është tërhequr, duke pretenduar se nuk e dëgjoi mirë kërkesën. Ky është veç justifikim i tiji pasi në telefonatë, ai u pyet disa herë nga ndërmjetësja dhe theksoi disa herë se do të paraqitej.
Eni Çobani: Sot jam shumë e prekur sepse për fat e kemi dëgjuar të gjithë publikisht që z. Njazi Vrenozi nga qyteti i Fierit, biznesmeni dhe shoqëria e cila ka ndërtuar këtë objekt për të cilin babai dhe djali ishin në konflikt shumë të madh, na premtoi të tërëve që do të ishte sot këtu, plus do të merrte edhe dëshmitarë. Askush sot nuk është në këtë sallë. Përveçse një telefonate përsëri private që e kam njoftuar për ditën dhe orën dhe aty më është shprehur përsëri, nuk e di, duhet ta ketë ves të qeshurën Njaziu, më tha “znj. Eni, nuk e dëgjova mirë por atje nuk vij”. Kështu që Njazi Vrenozi sot nuk ka ardhur, por unë dua t’i them vetëm një gjë: Njazi, nuk u pamë në Televizionin Klan, por do të shihemi në prokurorinë e qytetit Fier, do të shihemi në gjyaktën e qytetit Fier dhe sot mosardhja jote ka treguar vetëm një gjë: të vërtetën e Astritit me Mond Dervishajn. Kështu që kujdes të gjithë atyre që kanë marrë përsipër të bëjnë bizneset e tyre me paratë e shqiptarëve se si erdhi Mondi me Astritin, do të kemi të tjerë në vazhdim. Faleminderit Mondit dhe Astritit, më vjen shumë keq që vazhdon debati në familjen tuaj, por Njaziu edhe pse nuk erdhi këtu, një ditë do të përballemi bashkë.
/tvklan.al