Uashingtoni dhe Brukseli propozim të ri për Sofjen


Uashingtoni dhe Brukseli propozim të ri për Sofjen

20:20 23/09/2021

Brenda vitit të hapen negociatat me Shkupin e Tiranën

Bullgaria vazhdon të jetë nën presion të fortë jo vetëm europian por edhe amerikan për të hequr dorë nga vetoja e saj për bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut. Sipas burimeve në Bruksel po diskutohen disa opsione që kërkesat e Bullgarisë kryesisht të lidhura me të drejtat e atyre që në Maqedoninë e Veriut deklarohen me identitet bullgar do të bëhen pjesë e kuadrit negociator mes BE-së dhe Maqedonisë Veriore. Fjala është që këto kushte të vendosen në kapitullin e parë, dhe do të mbeten në fuqi gjatë gjithë procesit të negociatave, ose të përcaktohen përfundimisht në një kapitull të veçantë.

Çështja do të diskutohet në samitin BE-Ballkan Perëndimor në 6 Tetor, organizuar nga presidenca sllovene. Një zgjidhje të ngjashme ka marrë Greqia që ka mundur të përfshijë në kuadrin negociator me Shqipërinë çështje dypalëshe si ajo e kufirit detar dhe e titujve të pronësisë të minoritarëve kryesisht në zonën e Himarës.

Presioni ndaj Bullgarisë është shtuar edhe nga zëvendës ndihmës Sekretari i ri amerikan i Shtetit për Çështje Europiane, Gabriel Eskobar. Sipas Eskobar SHBA dëshiron që bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillonin këtë vit, pasi të dy vendet e meritojnë atë. Është e gabuar që Bullgaria të përdorë një mosmarrëveshje dypalëshe për t’i ndaluar aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE sepse bullgaret sipas Eskobar po e kthejnë këtë në një çështje shumëpalëshe.

Sipas tij, janë dhënë disa “zgjidhje të mira” për të zgjidhur çështjen dhe Uashingtoni do të vazhdojë t’i bëjë presion Sofjes për të gjetur kompromis me Shkupin. Escobar tha se Shtetet e Bashkuara donin që procesi i integrimit në Ballkanin Perëndimor të mos ishte “ritmi i kërmillit”.

Klan News






Të ngjashme