Ethem Aga është një emigrant shqiptar që në zgjedhjet e këtij viti kandidoi për Partinë Demokratike në qarkun e Tiranës. Që në vitin 1990, ai u largua në Francë përmes ambasadës, një rrugëtim i mbushur me frikë e sfida. Siç rrëfen në emisionin “Opinion” në Tv Klan, nuk kishte asnjë pasuri veç diplomës së tij të agronomisë që e ruante si sytë e ballit.
I ati fillimisht nuk donte t’ia jepte diplomën për mos ta lejuar të largohej, por më pas u bind. “Bëfsh hajër”, ishin fjalët e fundit të atij takimi. Në Francë, Ethemi bëri punë të ndryshme derisa arriti edhe të jepte mësim në një universitet. Në takimin me babain pas rikthimit, ai s’mund t’u besonte veshëve se djali që i ishte larguar veç me një diplomë, tashmë u jepte mësim francezëve.
Blendi Fevziu: Kur erdhe për herë të parë në Shqipëri, kur u riktheve?
Ethem Aga: Për herë të parë në Shqipëri kam ardhur në vitin 1993.
Blendi Fevziu: E takove babain?
Ethem Aga: E kam takuar tim atë dhe më kujtohet si sot. Edhe ky udhëtim ka qenë një udhëtim shumë i gjatë. E mbaj mend që asokohe kam udhëtuar me tren dhe pastaj me traget nga Italia drejt Durrësit. Ka qenë një udhëtim shumë i gjatë. Kur erdha, kam takuar babain tim dhe kanë qenë momente shumë emocionuese. Më tha “si je, bëra mirë që ta dhashë atë diplomën, por çfarë pune bën?” I thashë jam mësues. “Çfarë thua mo burrë?” Jap mësim. “Francezëve u jep mësim?”, tha. Francezëve u jap mësim. Tha “u bë djali im që t’u japë mësim francezëve?”, po, i thashë.
Blendi Fevziu: S’të besoi në fillim?
Ethem Aga: Nuk më besoi./tvklan.al