Lëvizja për të shmangur falimentin e bankës së dytë më të madhe

Frika e falimentimit të Credit Suisse çon në bashkimin e dy bankave më të Zvicrës. UBS, banka më e madhe private e këtij vendi, bleu për 3.2 miliardë dollarë bankën e dytë më të madhe zvicerane, që muajt e fundit po përballej me vështirësi të mëdha financiare.

Marrëveshja u arrit të Dielën, me nxitjen e qeverisë zvicerane që përmes bashkimit të dy bankave kryesore private synon të mbajë lart besimin e investitorëve dhe klientëve për të shmangur panikun që pasohet me tërheqje masive të kapitalit.

Banka Qendrore e Zvicrës ofroi mbi 100 miliardë Euro kredi afatgjatë për bankën UBS, për të mbështetur këtë blerje që synon stabilizimin e tregut financiar. Lëvizja megjithatë shkaktoi luhatje në tregjet e aksioneve jo vetëm në vendet e Bashkimit Europian, por edhe në bursat aziatike. Vlera e aksioneve të bankave europiane ra mesatarisht në 6% këtë të Hënë, ndërsa e atyre aziatike, deri në 3%.  

Kjo lëvizje financiare është më e madhja në kontinent, që pas falimentimit të bankës kaliforniane SVB. Edhe pse problemet financiare pritet të shfaqen edhe në të tjera banka, ekspertët nuk presin ripërsëritje të krizës së madhe të 2008-ës.

Tv Klan