Universiteti Bujqësor i Tiranës, UBT, nis bashkëpunimin me universitet më të njohura në Evropë nga i cili do të përfitojnë 30 studentë ekselentë dhe profesionistë të rinj në bujqësi. I pranishëm në këtë event, kryeministri Edi Rama tha se ky bashkëpunim hap një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar dhe ky është modeli që duhet shtrirë në të gjithë sistemin e doktoraturave. Teksa nuk i kurseu kritikat për sistemin e shkuar, përpara të pranishmëve tha se me gjasë ai duhet të ishte i vetmi pa asnjë titull shkencor në mesin e tyre.

“Në këndvështrimin tim nuk ka sesi të jetë gjëja e duhur ulja kritereve të futjes në universitet apo çelja e doktoraturave për të vazhduar një histori e cila e ka karakterizuar për shumë vite arsimin tonë të lartë në përgjithësi, si një histori mediokre, banaliteti të madh, që e ka përmbysur komplet raportin mes doktorëve dhe jo doktorëve në këtë vend. Besoj që në këtë sallë unë jam duhet të jem i vetmi pa asnjë titull, shkencor dhe pa askurrfarë statusi akademik, një Bachelor i thjeshtë jam unë nga e kaluara ime. Megjithëse Evisi thotë jo se po të konvertohet në të sotmen i bie të jetë master. Po kjo fjala master më është bërë tmerr. Unë mendoj që të gjithë shqiptarët janë me master.”

“Sot është një ditë shumë e bukur për universitetin edhe falë bashkëpunimit me qeverinë gjermane dhe falë kontributit të agjencisë gjermane të ndihmës sepse sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar dhe u jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spitakur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë, e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës në Gjermani apo në vende të tjera të BE. Dhe kjo është rruga jonë, rruga ku duhet të ecim dhe ky është modeli që ne duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat. Ne nuk duhet të japim në doktoratura lokale dhe ne nuk duhet të kemi në të ardhmen tonë jo shumë të largët, universitete lokale. Ne duhet të kemi një sistem të lartë arsimor, të ndërkombëtarizuar dhe duhet të kemi një botë universitare të integruar plotësisht në sistemin universitar europian dhe të ndërthurur tërësisht në programet e veta, në të gjithë rrugën e vet me universitetet europiane.”/tvklan.al