Më 18 Prill do të mbahet ceremonia e Udhës së Kryqit me rastin e të Premtes së Madhe, e cila i paraprinë festës së Pashkës për besimtarët katolik.
“Po përgatitemi për Udhën e Kryqit që në javën e madhe, që tani prej disa vitesh së bashku bëjmë të Premten e Shenjtë në sheshin Nënë Tereza. Ky shesh që akoma më shumë na identifikon ne si katolik edhe për kremtimin e madh të bërë nga Papa Francesku në 2014. Ky shesh që edhe ne dëshirojmë të mbledhim energjinë, uratën tonë se fitorja e Krishtit mbi vdekjen, mbi padrejtësinë, mbi të keqën të jetë në një farë mënyre edhe me bashkëpunimin tonë”, tha Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkevi i Dioqezës Tiranë Durrës.
Imzot Arjan Dodaj fton besimtarët që ti bashkohen kësaj ceremonie që do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza”.
“Ju ftoj të gjithëve që të mblidhemi në orën 20:30. Të premten me datë 18 në sheshin ‘Nënë Tereza’ që së bashku të përjetojmë si populli i Zotit në ecje, në këtë viti jubilar, hije që Zoti na dhuron nëpërmjet Kryqit të Shenjtë”, tha Imzot Arjan Dodaj.
“Udha e Kryqit” është një ditë e rëndësishme për të gjithë besimtarët e krishterë dhe kremtohet gjithmonë 2 ditë para festës së Pashkës, që shënon edhe ngjalljen e Jezu Krishtit.
Klan News