Në një takim të Byrosë Politike, e përbërë nga 24 anëtarë, drejtuesit më të lartë të Kinës thanë se ekonomia po përballet me “vështirësi dhe sfida të reja”.

Zyrtarët më të lartë të Kinës mblidhen çdo vit në fund të korrikut për të shqyrtuar situatën ekonomike përpara se të fillojnë pushimin tradicional në gusht.

Këtë vit, takimi i tyre u bë në fazën e rimëkëmbjes pas pandemisë dhe ndërsa ekonomia e dytë e botës po ngadalësohet, pjesërisht për shkak të uljes së fuqisë blerëse.

Sipas televizionit shtetëror CCTV, “takimi vuri në dukje se operacionet e tanishme ekonomike po përballen me sfida dhe vështirësi të reja, kryesisht për shkak të kërkesës së pamjaftueshme të brendshme, vështirësi operacionale për disa sipërmarrje, rreziqe të larta dhe të fshehura në disa fusha, si dhe një mjedis i jashtëm kompleks dhe i ashpër”.

Byroja Politike kineze ra dakort të hënën se Kina duhet “të zbatojë rregulla makroekonomike preçize dhe efikase, të forcojë rregullat dhe rezervat”.

Takimi i drejtuar nga Presidenti kinez Xi Jinping, bëri gjithashtu thirrje për përpjekje për të zgjeruar konsumin vendas dhe për të përshtatur politikat për pronat e patundshme.

Tregues pesimistë

Një seri treguesish të zymtë ekonomikë gjatë muajve të fundit kanë shtuar thirrjet për zyrtarët kinezë që të miratojnë masa mbështetëse për ekonominë.

Kina këtë muaj tha se ekonomia e saj u rrit me 6.3 përqind në tremujorin e dytë, shumë më dobët se 7.1 përqindshi i parashikuar në një anketim me analistët të agjencisë së lajmeve AFP.

Rezultati zhgënjyes erdhi pavarësisht bazës shumë të ulët të krahasimit me vitin e kaluar, kur vendi u godit nga një sërë masash izoluese për pandeminë në qytetet e mëdha.

Në terma tremujorë, e konsideruar si një bazë më realiste për krahasim, rritja arriti në 0.8 përqind, shumë më poshtë nga 2.2 përqindshi i parë në janar-mars, periudha e parë e plotë pas heqjes së kufizimeve të ashpra ndaj Covid-it.

Papunësia e të rinjve u rrit në një rekord prej 21.3 përqind në qershor, nga 20.8 përqind në maj.

Edhe sektori i pronave mbetet i paqëndrueshëm, me kompanitë e mëdha që nuk arrijnë të përfundojnë projektet e banesave, duke shkaktuar protesta dhe bojkotime të kredive nga blerësit e shtëpive.

Ndërsa Banka Popullore e Kinës muajin e kaluar uli normat e interesit dhe autoritetet u zotuan të ndihmojnë sektorin e trazuar të pronave, ka patur shumë pak veprime konkrete nga Pekini.

Kina njoftoi disa masa të premten për të inkurajuar blerjen e makinave, ndërsa masa të tjera janë njoftuar gjithashtu për të nxitur konsumin e produkteve të inteligjencës artificiale dhe atyre elektronike.

Pekini synon një rritje prej rreth pesë për qind këtë vit, një nga objektivat më të ulëta të vendosura prej dekadash, dhe që kryeministri kinez Li Qiang ka paralajmëruar se nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur./VOA