Gazetarja rrëfen destinacionet e saj të preferuara nga ‘Histori Shqiptare’

Nga veriu në jug, në maja malesh, lëndina apo lumenj të paeksploruar më parë, janë disa nga udhëtimet që gazetarja Alma Çupi ka përcjellë për shqiptarët përmes “Histori Shqiptare”.

Shqipëria është një vend me natyrë të mrekullueshme me bukuri e destinacione ende të paeksploruara, disa prej të cilave janë përcjellë nga  Alma Çupi duke treguar kulturën, traditën dhe bukuritë e tyre për shqiptarët.

E ftuar në Klan News, Alma Çupi rrëfeu të pathënat për 5 destinacionet më të bukura të ‘Histori Shqiptare’.

Në krye të listës së saj për vendet e preferuara janë Bjeshkët e Tropojës, “Peak Of Balkans” një nga shtigjet më të bukura në vend për të cilin është bërë edhe një libër, ndërsa rezulton dhe si destinacioni më i preferuar nga të huajt.

“Peak of the Balkans”, ndryshe thënë “Majat më të larta të Ballkanit” , në këto bjeshkë ke mundësinë të shohësh një pjesë të madhe të hartës së Europës. Një nga shtigjet më të bukura, nuk është shumë i vështirë. Përgjatë këtij shtegu gjëja më interesante janë stanet që janë kthyer në ‘bujtina’ pritëse”.

Një mrekulli të natyrës e përshkroi edhe Malin e Korabit prej nga ku shihen bjeshkët e Kukësit dhe Dibrës, por gazetarja sugjeron se ky është një udhëtim që duhet të realizohet me shoqërues të zonës, pasi terreni është tepër i egër.

“Mali i Korabit nuk ka një majë, por tre dhe gjithmonë ka pasur një debat që nuk është maja më e lartë ajo ku është vendosur piramida, është maja tjetër. Është një shteg më i vështirë, por nëse bëhet me banorët e zonës nuk ka asnjë rrezik dhe sipas mendimit tim, ata janë guidat më të mira”.

Fusha e Panairit, një zonë shumë e ftohtë në çdo stinë dhe njihet për stanet dhe rritjen e deles rudë, apo malet e Shishtavecit ku spikasin lëndinat me lule narcisi, janë destinacionet që pritet të kenë një potencial më të madh të turizimit malor. 

“Sapo kam kaluar një nga majat e Korabit dhe më është shfaqur fusha e Panairit që ishte sa tre fusha futbolli. Të ftohtin atje nuk kam për ta harruar sot e kësaj dite, ka qenë muaji Gusht dhe kemi ndenjur me velenxa, na ishin çarë buzët, nuk arrinim dot ta pinim ujin nga burimi. Për barinjtë është shumë e vështirë, shpresoj të bëhet ai investimi që flitet për Akademinë e Barinjve që të subvencionohen në ndërtimin e shtëpizave me gurë”.

“Zona e Shishtavecit ka lëndinën e luleve, lulen narcis. Ajo në pranverë, në fund të Majit e fillimit të Qershorit, çdo njeri nëse do të shikojë lëndinën më të bukur të jetës së vet me lule narcis, duhet të shkojë atje”.

Numëron me qindra udhëtime, por destinacioni i preferuar i gazetares Alma Çupi mbetet Përmeti, te cilin e ka eksploruar disa herë, ku veçon fshtrat me kalldrëm dhe mikriptjen.

“Shkon me kalë, dëgjon trokun e tij nëpër kalldrëm, del një nënë e bukur përmetare, të holla, elegante, të shkathëta e të ftojnë”.

Sezoni i ri i ‘Histori Shqiptare’ pritet të jetë me plot destinacione të reja, zona të Thethit të pa eksploruara më parë, Librazhdit dhe Beratit.

Klan News