Tragjedia e Mottarone ka goditur 4 familje, 2 nga Lombardia, një familje nga Emilia Romagna dhe një nga Calabria. Në veçanti më e prekur është një familje që jetonte në Pavia, që ishte me origjinë nga Izraeli.

Mediat italiane kanë përcjellë identitetet e personave që humbën tragjikisht jetën këtë të diel në mesditë në rajonin e Piemontes, si pasojë e rënies nga lartësia të një kabine të teleferikut.

Roberta Pistolato, e cila sot mbushte 40-vjeçe dhe Angelo Vito Gasparro, 45 vjeç, jetonin në Piacentino, të dy me origjinë nga Bari. bashkëshortët kishin dalë në Liqenin Maggiore për të festuar ditëlindjen e gruas. Mesazhin e fundit, familja e tyre e mori rreth orës 11:00. 40-vjeçarja i kishte dërguar së motrës një mesash ku i thoshte se po merrnin teleferikun. Roberta kishte pak kohë që kishte përfunduar studimet për mjekësi.

Silvia Malnati, 27-vjeçe dhe Alessandro Merlo, 29 vjeç, ishin dy të fejuar nga Varese. Silvia Malnati ishte e punësuar në një dyqan në Milano. Të apasionuar pas natyrës, detit dhe maleve, ata kishin dalë për një udhëtim jashtë qytetit, mbase i pari në fund të vitit të gjatë të kufizimeve nga pandemia dhe kishin zgjedhur malin që ngrihet midis liqenit Maggiore dhe liqenit Orta.

Serena Cosentino, vajza 27-vjeçare nga Diamante, prej disa muajsh ishte zhvendosur në Verbania ku kishte fituar një konkurs në Institutin CNR për Kërkimin e Ujit, më 15 Mars. Ajo kishte përfunduar studimet në Sapienza të Romës. I dashuri i saj Mohammadreza Shahaisavandi 23 vjeç, me origjinë nga Irani, humbi gjithashtu jetën në aksident. Rezident në Diamante, por jetonte në Romë ku ndiqte studimet. 23-vjeçari kishte shkuar në Verbania për të takuar të dashurën. Serena kishte festuar ditëlindjen e saj më 4 Maj.

Një familje e tërë me origjinë izraelite, me banim në Pavia, babai, nëna dhe dy fëmijët, u shua thuajse e tëra nga aksidenti tragjik. Amit Biran, 30 vjeç, gruan e tij Tal Peleg, 26-vjeçe dhe djali i tyre Tom, 2 vjeç. Djali tjetër i çiftit, i cili ishte me ta, u transportua në spitalin Regina Margherita në Torino, por nuk dihet ende nëse ai është fëmija i mbijetuar. Viktimë mbetën edhe stërgjyshërit e familjes. Itshak Cohen, 82 vjeç dhe gruaja e tij Barbara Cohen Konisky, 70 vjeç. Ata kishin mbërritur në Pavia disa ditë më parë për të takuar familjarët e tyre.

Të gjithë kishin shkuar në Piemonte për një udhëtim në Mottarone, kur kabina e teleferikut në të cilën ndodheshin u shkëput dhe ra nga lartësia. I vetmi i mbijetuar nga kjo tragjedi është një fëmijë 5 vjeç, që ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Torinos./tvklan.al