Së shpejti do të zhvillohen testet për avionin hipersonik. Udhëtimi Romë-New York pritet ta përmbyllë në vetëm një orë, që aktualisht fluturimi zgjat rreth 10 orë.
Ky avion është në gjendje të arrijë një shpejtësi prej 7000 km/h falë një motori revolucionar VDR2, i krijuar nga Venus Aerospace, duke garantuar, jo vetëm një shpejtësi rekord, por edhe efikasitet të jashtëzakonshëm në krahasim me ata në përdorim.
Përveç shpejtësisë në fluturim deri në 7400 km/orë, ky motor është projektuar edhe të konsumojë 15% më pak karburant, por ka ende disa vështirësi teknike, ku njëra është pikërisht shpejtësia hipersonike dhe menaxhimi i temperaturave të larta.
Në kushte të tilla ajri që hyn në motor arrin deri 2130 gradë Celsius, mjaftueshëm për të dëmtuar rëndë pjesët e brendshme. Sipas inxhinerëve, zgjidhja do të gjendet, por një tjetër problem është reagimi i trupit njerëzor në shpejtësi të tilla, veçanërisht gjatë nisjes dhe marrjes së fuqisë maksimale.
Sfida aktualisht është reduktimi i impaktit të forcave G, në një lartësi fluturimi prej 33.500 m. Pritet që testi i parë të realizohet brenda vitit 2025, ku avioni hipersonik do të montohet mbi një dron dhe nëse rezultatet do të jenë pozitive, hapet rruga për një revolucion në fushën aeronautike.
Fillimisht avioni hipersonik do të gjente përdorim në fushën hapësinore dhe ushtarake.
Klan News