UEFA merr vendime të rëndësishme, finalja e Europa League me tifozë



UEFA merr vendime të rëndësishme, finalja e Europa League me tifozë

23:15 04/05/2021

Kombëtaret listë me 26 futbollistë në Euro 2020, finalja e Europa League me tifoze

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka miratuar rregulla të veçanta për fazën finale të Euro 2020 për të siguruar mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e turneut gjatë pandemisë së Covid-19.

Siç ishte kërkuar nga trajnerët, institucioni më i lartë i futbollit Europian ka plotësuar kërkesat e tyre, teksa është dhënë miratimi që në lista e kombëtareve pjesëmarrëse në Europian të përbëhet nga 26 lojtarë.

Megjithatë vetëm 23 lojtarë do jenë të gatshëm për të zbritur në fushë mes të cilëve tre portierë. Lista do dorëzohet para datës 1 Qershor 2021, e cila mund të pësojë ndryshime vetëm në rast se lojtarët pësojnë dëmtime të rënda ose sëmuren  para ndeshjes së parë.

Rregullorja e re do të lejojë gjithashtu zëvendësimin e portierëve para çdo ndeshje gjatë turneut në rast të paaftësisë fizike, edhe pse në listë gjenden dy portierë akoma në dispozicion. Për të siguruar integritetin e garës, padyshim që një lojtar i cili është zëvendësuar në listë nuk mund të përfshihet sërish.

Ndërkaq, UEFA ka konfirmuar se finalja e UEFA Europa League në program për më datë 26 Maj në Gdansk të Polonisë do luhet me tifozë. Në stadiumin “Miejski” do kenë mundësi të futen 9500 spektatorë, pra 25% e kapacitetit të stadiumit.

Klan News







Të ngjashme