Mbërrin në Shqipëri autobusi i skuadrës së Romës

Dy ditë para finales së Tiranës, Uefa Conference League u jep mirëseardhjen të gjithë tifozëve në kryeqytetin shqiptar. Me anë të një videoje promovuese për Tiranën në profilin e saj në Twitter tregohet se trofeu tashmë gjendet në fushën e Stadiumit “Arena Kombëtare”.

I bëhet jehonë pikave më tërheqëse të qytetit që në hyrje, pazari i ri, parku i liqenit, por mbi të gjitha stadiumi, një nga më të rinjtë në Europë.

Edhe pse është e pamundur të përcaktosh saktë numrin e tifozëve holandezë dhe italianë që do të vijnë, por edhe shumë të tjerë nga vende të ndryshme të Europës, mendohet se në ditën e finales, Tirana do të jetë e përmbytur me turistë.

Ashtu siç është njoftuar edhe disa ditë më parë, Feyenoord po përgatitet në Portugali dhe do të mbërrijë në Tiranë për të mbajtur një seancë të fundit stërvitore në stadiumin e finales, ndërsa Roma do të kryejë çdo gjë në kompleksin e saj stërvitor në Trigoria. Por më parë italianët kanë sjellë edhe autobusin e tyre që mbërriti këtë të henë në portin e Durrësit dhe me të cilin do të udhëtojnë nga aeroporti i Rinasit për në hotelin ku do të akomodohen.

Tv Klan