Që prej vitit 2021 klubet Europiane do të luajnë për 3 kompeticione kontinentale. Komiteti Ekzekutiv i UEFA aprovoi garën e re që tani për tani po quhet UEFA Europa League 2. Kjo është një tjetër mundësi për klubet që në bazë të renditjes në kampionatet përkatëse nuk arrijnë të kualifikohen për eliminatoret e Champions apo Europa League.

Do të marrin pjesë 32 skuadra dhe formati do të jetë i njëjtë me dy garat e tjera. Pritet që ndeshjet për këtë trofe të luhen ditëve të enjte, por në orare të ndryshme me ato të Europa League. Drejtuesit e UEFA janë shprehur optimistë, pasi me këtë garë të re u jepet mundësi paraqitjeje në arenën ndërkombëtare më shumë klubeve.

Ende nuk ka detaje zyrtare mbi modalitetet e kualifikimit, por sipas mediave europiane 5 kampionatet me të mëdha do të kenë një vend të rezervuar në këtë kompeticion. Në rastin e Superligës Shqiptare, pritet që pjesëmarrëse të jetë skuadra që renditet në vendin e 4 në fund të sezonit.

Komiteti ekzekutiv i UEFA miratoi edhe përdorimin e sistemit VAR në Champions League madje që në këtë sezon. Aplikimi do të nisë para kohe nga ç’ishte parashikuar, që në 12 Shkurt të 2019.

Tv Klan