Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA i ka qëndruar kërkesës së dy inspektorëve të saj, duke vendosur përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga aktivitetet e saj dhe 1 milionë euro gjobë me akuzën e përfshirjes në trukim ndeshjesh. Vendimi prej 23 faqesh është marrë që më 21 Mars, kur edhe u mbajt seanca dëgjimore me klubin korçar në zyrat e UEFA-s në Nion.

Skënderbeu akuzohet për trukim të ndeshjeve në kampionatin shqiptar, por edhe në takime ndërkombëtare në Europa Ligë dhe Champions League. Gjoba 1 milion euroshe duhet të paguhet brenda 90 ditësh ndërsa vendimi mund të apelohet brenda 5 ditësh nga komunikimi zyrtar.

Ky vendim pritet të kundërshtohet nga Skënderbeu, i cili edhe më herët ka paralajmëruar dërgimin e çështjes në Komisionin e Apelit të UEFA-s, si shkallë e dytë, e më pas në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, në Lozanë.

Këtë e konfirmon edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj. I kontaktuar nga Televizioni Klan, ai tha se dënimi është i pabazuar dhe se strategjia e klubit është ndërtuar që t’i shkojë çështjes deri në fund.

Një tjetër dënim u dha 2 vite për Skënderbeun që e largoi nga kompeticionet europiane në sezonin 2016-2017.

Tv Klan