Kur kanë mbetur pak më shumë se 2 muaj nga ceremonia hapëse e Euro 2020, UEFA ka hartuar një plan strategjik anti-koronavirus për të çuar përpara turneun më të rëndësishëm futbollistik. Sipas asaj që raporton gazeta italiane, Corriere dello Sport, UEFA ka kërkuar që të gjithë lojtarët që do të paraqiten në “Euro 2020” të vaksinohen.

Rreth 600 lojtarë që pritet të marrin pjesë në kampionat do të vaksinohen nga UEFA, që e shikojnë këtë masë si të duhurën që turneu të mos vihet në rrezik. Gjithashtu, shtetet pritëse do rihapin dyert e stadiumeve për të mirëpritur publik. Deri më tani, 7 shtete mësohet se kanë dhënë dritën jeshile për të lejuar tifozë në shkallët e stadiumit dhe si kusht për ta do jetë vaksinimi.  

Ndërkohë, 4 shtete të tjera kanë kohë deri më 19 Prill për të vendosur nëse do të pranojnë tifozë në stadiume apo jo. Gjermania ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, pasi situata në vend vazhdon të jetë e rënduar për shkak të pandemisë. Gjithsesi, deri më 19 prill gjithçka pritet të qartësohet nga zona e Bavarisë, e cila është shprehur optimiste për të lejuar tifozët në “Allianz Arena” aty ku Gjermania do të luajë ndeshjet e saj. Euro 2020 është në program për të nisur më 11 qershor.

Klan News