Kompania e shpërndarjes së energjisë është duke skeduluar borxhet që kompanitë shtetërore kanë ndaj saj për mospagimin e detyrimeve të energjisë. Administratori Ardian Çela tha se deri tani ujësjellësit dhe disa bashki janë toleruar për të mos ndërprerë furnizimin e konsumatorëve me ujë, por kjo situatë do të ndryshojë dhe masat ndaj tyre do të jenë drastike nëse faturat nuk paguhen.

“Në fund, do të marrim edhe ne masat tona, duke u bllokuar ndoshta llogaritë bankare.”

Kjo ishte dhe një nga arsyet që drejtuesit e kompanisë OSHEE listuan për borxhin që ndërmarrja ka ndaj organeve tatimore. Ata thanë se detyrimet fiskale arrijnë në 76 milionë dollarë, por këto janë borxhe të gjetura në 2013-ën. Ardian Çela tha se nuk mund të shlyejë borxhet dhe të lerë konsumatorët pa energji, prandaj duhet të bëjë investime në rrjet.

“Institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, ujësjellës e të tjerë me radhë kanë një borxh prej 16 miliardë lekësh.”

Për shkak të thatësirës kompania pret që bilancet e vitit 2017-të të kenë një rënie të fitimit, ndërsa raporton se niveli i humbjeve në rrjet është 26.4%, ndërkohë që është ulur edhe niveli i borxhit të keq që konsumatorët kanë ndaj saj. Por a duhet të ndryshojë tarifa pas përmirësimit të këtyre treguesve?

Tv Klan