Prej vitesh kjo është një pamje gati e zakonshme në çdo lagje të kryeqytetit. Në orare të caktuara, madje që në orët e para të mëngjesit, përmes altoparlantëve drejtuesit e autobotëve njoftojnë qytetarët për mbërritjen e makinës që tregton ujë për konsumatorët. Por drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Dritan Ulqinaku thotë për Televizionin Klan se ujit të këtyre autobotëve nuk i është bërë asnjë analizë dhe është i pa sigurtë.

“Kemi informacion që ka zona të caktuara të Tiranës që ka autobote që janë të jashtëligjshëm, nuk kanë bërë tek ne asnjë analizë, pra janë të palicensuar dhe të pasigurtë. Ne nuk mbajmë garanci dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me këta abuzues, me një produkt që është i domosdoshëm për shëndetin e popullatës”.

Sipas Ulqinakut, licenca e tyre për transport uji ka krijuar edhe amulli tek institucionet, të cilat duhet të ndërhyjnë për të monitoruar, apo dhe bllokuar këto autobote.

“Është ngritur ky problem edhe në nivel prefekture, por ata kanë licencë për transport uji dhe jo për shitje të ujit të pijshëm. Ne do e ngremë këtë problem, pasi është i pasigurtë për shëndetin e popullatës”.

Çmimi i ulët duket se ka joshur qytetarët për të konsumuar këtë ujë, që sipas kreut të ASHR, nuk dihet se sa klor përmban dhe përmbajtjen e nivelit të mikrobeve. Ngritja e një Task Force mes Policisë së Rendit, Policisë Bashkiake, AKU-së, Tatimeve dhe Higjienës sipas Ulqinakut mund të garantojë cilësinë e ujit të shpërndarë në këtë mënyrë.

Tv Klan