Uji që tregtojnë autobotët nuk është i pijshëm

Uji që tregtojnë autobotët nuk është i pijshëm

16:18 11/09/2019

UKT: E japim për përdorim higjieno-sanitar

“Ujë Dajit, ujë i pijshëm Dajti”. Ky është refreni që prej vitesh sinjalizon banorët e kryeqytetit se ka ardhur koha të dalin dhe të blejnë ujë të pijshëm nga autobotet, që thonë se e sjellin direkt nga Mali i Dajtit.

Por uji që këta qytetarë po blejnë nuk ështe i pijshëm. Ata që zotërojnë autobotet e blejnë ujin në ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve për përdorim higjieno-sanitar, por më pas e tregtojnë si ujë të pijshëm Dajti në çdo zonë të kryeqytetit.

“Uji që botet marrin nga Ujësjellësi, është ujë që merret nga linja e transmetimit. Ky është një ujë i patrajtuar, pasi siç dihet uji trajtohet kur hyn në depo ku i nënshtrohet analizave fizike kimike, dhe ky është një ujë i patrajtuar  që jepet për qëllime higjieno-sanitare”, thotë nëndrejtoresha e UKT, Evis Gjebrea.  

Janë me dhjetra autobote që blejnë çdo ditë ujë që vjen nga linja e transmetimit në zonën e Linzës, dhe që më pas në kushte të paligjshme e tregtojnë në qytet.

“Botet kanë dokumentacion vetëm për transportin dhe në bazën e kësaj jepet ky ujë ku lëshohet dhe një faturë tatimore”.

Drejtues të Ujësjellësit thonë se nuk japin asnjë garanci për ujin që qytetarët blejnë nga këto bote.

“Ujësjellësi i Tiranës mban përgjegjësi për shpërndarjen e ujit që nga burimi deri në rubinetin e qytetarit, ky është ujë që trajtohet, ne e pastrojmë dhe e trajtojmë dhe ky është uji që qytetarët duhet të përdorin”.

Legalizimi i blerjes së ujit nga botet për qëllime higjieno-sanitare, sipas Ujësjellësit, erdhi si domosdoshmëri për të shmangur vjedhjen e ujit dhe dëmtimin e tubacioneve nga pronarët e boteve.

“Duke marrë shkas nga humbjet e mëdha në rrjet dhe ndërhyjret ilegale, Ujësjellësi u detyrua ta përqëndronte në një pikë të vetëm këtë proces të shpërndarjes së ujit në këto bote”.

Autobotet e blejnë me 65 Lekë për metër kub ujin për përdorim higjieno-sanitar, dhe në kushtet e paligjshmërisë ua tregtojnë atë qytetarëve me 30 deri në 50 Lekë për një bidon 5 apo 10 litra.

Bashkia përveç thirrjes që u bën qytetarëve për ta refuzuar ujin e autoboteve, thotë se investimet qe po kryen me rrjetin e Ujësjellësit do t’i japin fund edhe këtij fenomeni.

Vetëm furnizimi 24 orë do të bëjë që uji i rrjetit të jetë i pijshëm pasi do të shmangë depozitat personale apo dhe kolektive. 

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
UKT