Të paktën 11 viktima e po aq të plagosur, nga 55 raketa 47 u rrëzuan

Nga toka, ajri dhe deti. Rusia lëshoi një breshëri të re raketash mbi Ukrainë të enjten, një ditë pasi Gjermania dhe ShBA-ja njoftuan dërgimin e tankeve për ta ndihmuar Kievin në fushëbetejë. Njëmbëdhjetë njerëz vdiqën e po aq u plagosën pasi 35 ndërtesa në disa rajone u goditën nga raketat. Shërbimi i emergjencave tha se demete më të mëdha në ndërtesat e banimit u shkaktuan në rajonin e Kievit.

Zyrtarët raportuan gjithashtu sulme ndaj dy objekteve energjetike në rajonin e Odesës.

Breshëria erdhi pasi Rusia tha se e perceptonte mbështetjen ushtarake të Ukrainën me tanke si përfshirje “të drejtpërdrejtë” të NATO-s në konflikt.

Rusia përdori raketa me reze të gjatë veprimi. Shefi i Shtabit të Ushtrisë ukrainase tha se Moska lëshoi 55 raketa ajrore dhe detare. Gjeneral Valery Zaluzhny shtoi se 47 prej tyre u rrëzuan, duke përfshirë 20 rreth Kievit.

Më herët, forcat ajrore të Ukrainës rrëzoi një grup dronësh sulmues të prodhuar nga Irani të nisur nga forcat ruse nga Deti Azov në jug të vendit.

“Vala e shpërthimit i goditi, ata ishin këtu jashtë. Ne vetë qëndruam pas një kamioni, kështu që ishim disi më të mbrojtur. Ata u lënduan, njeri prej tyre u vra dhe dy u plagosën,” thotë ky dëshmitar për një prej ngjarjeve pranë Kievit.

Ofensiva ishte një vazhdim i taktikës një mujore të Rusisë për të shënjestruar infrastrukturën e Ukrainës. Në mes të dimrit të ftohtë  stacionet e energjisë janë shkatërruar dhe miliona banorë janë zhytur në errësirë.

Pas bombardimit të së enjtes, skema e ndërprerjeve të energjisë elektrike u zbatua në Kiev dhe disa rajone të tjera për të lehtësuar presionin mbi rrjetin elektrik.

Të enjten, SHBA-ja e shpalli grupin mercenar rus Wagner, një organizatë kriminale.

Departamenti i Thesarit vendosi sanksione të reja ndaj grupit dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të “penguar më tej aftësinë e presidentit rus Vladimir Putin për të armatosur dhe pajisur makinën e tij të luftës”, tha në deklaratë sekretarja e Thesarit Janet Yellen.

Klan News