Në mesin e një krize të thellë ekonomike që prodhoi lufta dhe aneksimi i Krimesë, ukrainasit ia besojnë fatin e vendit komedianit Volodimir Zelenski. 41-vjeçari u zgjodh President i ri i vendit, duke rrëzuar nga karrigia Petro Poroshenkon.

Sipas Exit Poll-eve Volodimir Zelenski mori rreth 73.2% të votave, kundrejt 25.3% të Presidentit në ikje.

Të drejtë vote në Ukrainë kanë 35 milionë qytetarë, ndërsa pjesëmarrja ishte rreth 47%, 1% më e lartë se zgjedhjet e raundit të parë.

Rishtar në politikë dhe pa një program të detajuar për nxjerrjen e vendit nga kriza, Volodimir Zelenski arriti të rrëmbejë besimin e qytetarëve, duke dëshmuar sërish urinë e këtyre të fundit për një ndryshim rrënjësor.

Aktori i cili më herët e ka luajtur presidentin në një prej karakterëve të tij komikë, do të drejtojë Ukrainën për 5 vitet e ardhshme. Ai ka premtuar se do të mbajë linjën pro-europiane, do të luftojë korrupsionin e përhapur kudo në vend gjatë presidencës së Poroshenkos.

Zelenski ka premtuar gjithashtu se do t’i japë fund konfliktit në krahinën Donbas në lindje të Ukrainës, ku prej fillimit të luftimeve në vitin 2014 kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.

Tv Klan