Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë ditën e sotme në Stamboll nuk rezultuan me një armëpushim. Megjithatë palët kanë rënë dakord në një pikë. Shkëmbimin e 1 mijë të burgosurve të luftës.

Kjo, sipas palës ukrainase, ishte edhe prioriteti i parë në bisedime.

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, duke folur për gazetarët në Stamboll, e përshkroi këtë si një “arritje të rëndësishme” “tregon se jemi të fokusuar për ta përfunduar këtë luftë”.

Ministri Rustem Umerov

Prioriteti i dytë i ukrainasve ishte diskutimi i një armëpushimi. Palët kanë “shkëmbyer disa modalitete” dhe ekipet po punojnë për të “shkëmbyer detajet”.

Prioriteti i tretë i palës ukrainase është që takimet e radhës të jenë të nivelit të lartë.

“Mendoj se hapi i radhës që duhet të organizohet është një takim i nivelit të liderëve”, tha Umerov, duke përsëritur se “Ukraina do paqe”.

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, tha se pala e tij ishte “përgjithësisht e kënaqur” me takimin. Sipas tij, palët pranuan që të paraqesin vizionin e tyre për një armëpushim, pas të cilit mund të vijojnë bisedimet.

Vladimir Medinsky

Medinsky tha se Moska e “ka marrë shënim” kërkesën e Ukrainës që presidenti Vladimir Putin të takohet me homologun e tij Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, u shpreh për mediat se kishte disa kërkesa nga Rusia që janë të “papranueshme” nga Ukraina.

Sipas kreut të delegacionit rus, Moska i shikon bisedimet si një vazhdim të atyre që dështuan në vitin 2022. Ukraina nga ana tjetër e ka kritikuar delegacionin e Putinit se nuk është ngarkuar për të prodhuar negociata serioze.

“Rusia dërgoi pothuajse të njëjtët njerëz që çoi edhe në 2022-shin. Ata tregojnë se Rusia nuk ka ndryshuar shumë nga qasja e saj. Po bëjnë gjithçka që ta kthejnë takimin në Stamboll në një proces  bosh”, tha Zelensky nga Shqipëria, ku sot ishte pjesë e samitit të Komunitetit Politik Europian.

Por kush ishin të deleguarit e të dyja palëve në Stamboll?

Për delegacionin rus:

Vladimir Medinsky, këshilltar i Vladimir Putin

Alexander Gomin, zv/ministër i mbrojtjes

Mikhail Galuzin, zv/mininistër i  jashtëm

Igor Kostyukov, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake

Delegacioni rus

Për delegacionin Ukrainas:

Rustem Umerov, ministër i Mbrojtjes

Oleksandr Poklad, zv/shef i Shërbimeve të Inteligjencës së Brendshme

Oleksiy Shevchenko, zv/drejtues i stafit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Serhiy Kyslytsia, zv/ministër i Çështjeve të Jashtme

Oleksandr Bevz, negociator dhe dhe ndihmës i shefit të kabinetit të Zelenskyt

Delegacioni i Ukrainës

Pala ndërmjetëse:

Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Turqisë.

Ministri turk në qendër

/tvklan.al