Ukraina mund të njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës dhe këtë e konfirmoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, përfaqësuesi ukrainas Oleksi Gonarçenko.

“Dua t’i drejtohem të gjithë kolegëve, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë. Mes tyre është edhe Ukraina, vendi im. Kam ndërmarrë nisma në parlament për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jam i sigurt se kjo do të ndodhë shumë shpejt”.

Në debatet për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Europës, Gonarçenko iu kërkoi edhe serbëve ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Është në interesin e serbëve ta bëjnë këtë. Harrojini dhimbjet që iu kanë shkaktuar përpjekjet për revansh. Kjo i ka bërë ata të jenë ndër vendet më të varfër të kontinentit”.

Në debat u propozua që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun me Serbinë.

Tv Klan