Një sulm me raketë dëmtoi rëndë një objekt kyç energjetik në rajonin e kryeqytetit të Ukrainës. Guvernatori i Kievit tha se nga sulmi i së shtunës nuk pati viktima ose të plagosur.

Operatori i sistemit energjetik të vendit tha se ekipet e riparimit po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji, por paralajmëroi banorët për ndërprerje të mundshme. Banorët nga ana tjetër, po marrin masat e tyre.

“Gjeneratori i energjisë është një gjë e nevojshme, është e vështirë të vazhdohet pa të, veçanërisht kur nuk ka energji elektrike – ushqimi në frigorifer mund të shkrihet. Duhet për të vendosur në punë pompën e ujit, për të ndezur pajisje të ndryshme elektrike.”

Ushtria ruse u përpoq të ndërpresë furnizimin me ujë dhe energjinë elektrike në zonat e populluara të Ukrainës këtë javë pasi një shpërthim kamioni bombë dëmtoi urën që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë.

Rusia po përpiqet të mbajë nën presion forcat ukrainase, së pari duke dërguar trupa në Bjellorusi dhe duke formuar skuadra të përbashkëta me forcat vendase. Gjithashtu po përdor raketat me rreze të gjatë veprimi për të goditur infrastrukturën kritike, siç janë objektet e prodhimit të energjisë elektrike apo furnizimit me ujë, si dhe po godet banesat e civilëve.

Pavarësisht presionit, ushtria ukrainase po përparon në Kherson. Nisja e një ofensive më të ashpër të shtunën u konfirmua nga pala ruse.

Autoritetet pushtuese ruse në provincën ukrainase Kherson thanë të shtunën se kanë krijuar një linjë telefonike këshilluese për civilët që kërkojnë të largohen nga luftimet, një shenjë tjetër se ata po përballen me presionin e kundërofensivës ukrainase.

Ukraina ka rimarrë pjesë të provincës që kur nisi fushatën e saj në fund të gushtit, duke i shtyrë forcat ruse drejt qytetit të Khersonit në bregun perëndimor të lumit Dnipro, ku Moska ka vendosur mijëra trupa. Ajo gjithashtu në një ofensivë të veçantë ka shpartalluar forcat ruse nga pjesa më e madhe e provincës Kharkiv në verilindje të vendit.

Shumë civilë janë larguar nga Khersoni javët e fundit, shpesh për në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

Klan News