Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Ukraina po përdor bomba thërrmuese amerikane kundër forcave ruse. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare, John Kirby u shpreh se bombat thërrmuese për përdoren në mënyrë efektive në pozicionet dhe operacionet ruse.

“Ata po i përdorin ato siç duhet. Ata janë duke i përdorur ato në mënyrë efektive dhe ata në fakt kanë një ndikim në formacionet mbrojtëse të Rusisë dhe manovrat mbrojtëse të Rusisë”, tha Kirby.

Shtetet e Bashkuara vendosën që të dërgojnë bomba thërrmuese pasi Ukraina paralajmëroi se po i mbaroheshin municionet gjatë kundërofensivës së verës. Presidenti Joe Biden e quajti vendimin “shumë të vështirë”, ndërsa aleatët e SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja kundërshtuan përdorimin e tyre.

Bombat thërrmuese shpërndajnë bomba të shumta dhe janë të ndaluara nga më shumë se 100 shtete për shkak të kërcënimit të tyre ndaj civilëve. Armët janë efektive kur përdoren kundër trupave në llogore dhe pozicione të fortifikuara, pasi ato i bëjnë zona të mëdha shumë të rrezikshme për të lëvizur derisa të pastrohen.

Ukraina ka premtuar se bombat do të përdoren vetëm për të zhvendosur përqendrimet e ushtarëve të armikut rusë./tvklan.al