OKB kërkon lirimin e kreut të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia pasi përbën kërcënim për sigurinë

Trupat ukrainase kanë festuar rimarrjen e  bastionit kyç të Lyman në Ukrainën lindore, një disfatë e rëndë nga ana e Rusisë. Kapja erdhi vetëm pasi Putin shpalli aneksimin e gati një të pestës së Ukrainës  duke përfshirë Donetsk, ku ndodhet Lyman  dhe vendosi rajonet nën ombrellën bërthamore të Rusisë. Kievi dhe Perëndimi e dënuan ceremoninë si një farsë të paligjshme.

Lyman kishte rënë në Maj në duart e forcave ruse, të cilat e kishin përdorur atë si një qendër logjistike dhe transporti për operacionet e saj në veri të rajonit të Donetsk. Kapja e tij është fitimi më i madh i Ukrainës në fushën e betejës që nga kundërsulmi i rrufeshëm në rajonin verilindor të Kharkivit muajin e kaluar.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy premtoi më shumë suksese në Donbas. Forcat e armatosura të Ukrainës thanë në një deklaratë se avionët e saj kishin kryer 29 sulme në 24 orët e fundit, duke shkatërruar armë dhe sisteme raketore kundërajrore, ndërsa trupat tokësore kishin goditur postet komanduese, magazinat që përmbanin municione dhe komplekse raketore kundërajrore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se kapja e Lyman do të krijonte probleme të reja për ushtrinë ruse. Austin vuri në dukje se Lyman ishte i pozicionuar përgjatë linjave të furnizimit që Rusia ka përdorur për të shtyrë trupat në jug dhe në perëndim. Ai nuk përmendi se kapja e Lyman nga Ukraina mund të nxiste përshkallëzimin rus, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë denoncuar gjerësisht retorikën bërthamore të Rusisë ditët e fundit.

Autoritetet ruse informuan Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se kreu i termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës ishte arrestuar përkohësish” për t’u marrë në pyetje. Ihor Murashov u arrestua gjatë rrugës nga uzina e pushtuar nga Rusia për në qytetin Enerhodar.  Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së bën thirrje për lirimin e drejtorit të termocentralit Zaporizhzhia.

Krerët e vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore në një deklaratë të përbashkët kanë shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe kanë dënuar përpjekjet e Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase. Deklarata është nënshkruar nga presidentët e Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Ata e quajtën pushtimin rus të Ukrainës një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare

Klan News