Pavarësisht se me armatim të cunguar dhe pa fondet e premtuara nga aleatët, ushtrisë ukrainase nuk i mungojnë arritjet në betejën kundër rusëve. Ky filmim dëshmon rrëzimin nga goditja e sistemit anti-ajror ukrainas të një avioni luftarak rus Tupolev 22M3.Avioni është pjesë e gjeneratës së flotës strategjike të bombarduesve me rreze të gjatë veprimi, të përdorur për misione të vështira për beteja në ajër dhe për goditjen me precizion të objektivave në tokë.

Bombarduesi Tupolev po fluturonte brenda territorit rus kur ra në një distancë të madhe prej 300 kilometrash larg kufirit ukrainas, në rrethinat e qytetit Stavropol, pas kthimit nga një mision në Ukrainë. Është hera e parë që Ukraina hedh një avion të tillë që me vështirësi kapet nga radarët.

Ndërkaq, 8 persona humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën në dy sulme ajrore të ushtrisë ruse pranë rajonin e Dnipropetrovskut. Shumica e viktimave, ndër të cilët edhe fëmijë u shënuan nga goditja me raketa e një pallati banimi në Dnipro, ndërsa të tjerët në një stacion treni. Presidenti ukrainas Volodimir Zelesnki tha se ky rast nxjerr në pah nevojën që çdo qytet të ketë mbrojtje të sofistikuar kundërajrore.

Tv Klan