UkraineGrupimet filoruse që kontrollojnë qytetin lindor ukrainas të Sllavjanskut i akuzojnë vëzhguesit e OSBE për spiunazh në favor të NATO. 8 anëtarë të misionit të kësaj organizate – nga Gjermani, Danimarka, Polonia, Suedia dhe Çekia, u ndaluan një ditë më parë në periferi të këtij qyteti. Ata po mbahen aktualisht në godinën ku më herët kryente veprimtarinë e vet dega lokale e Sllavjanskut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës. Sëbashku me vëzhguesit e OSBE u ndaluar edhe 5 ushtarakë ukrainas që i shoqëronin dhe një civil, shoferi i autobusit me të cilin ata po udhëtonin. Një drejtues i grupimeve vetëmbrojtëse filoruse tha se ata do të lirohen vetëm në shkëmbim të të burgosurve nga rradhët e tyre, që mbahen nga forcat e sigurisë ukrainase. Në negociatat për lirimin e vëzhguesve ndërkombëtarë është angazhuar edhe Rusia, nëpërmjet kanaleve të saj diplomatike.

Teksa situata vijon të jetë e nderë në të gjithë rajonin e Donjeckut në Ukrainën lindore, autoritetet në Kiev thanë se kanë nisur fazë e dytë të operacionit anti-terrorizëm. Në këtë fazë është vendosur bllokadë përreth qytetit të Sllavjanskut – baza më e fortë filoruse në zonë, me qëllimin për të parandaluar furnizimin me armë.

Presidenti amerikan Barak Obama, nga Seul ka folur për marrëdhënien e tij personale me homologur rus, Vladimir Putin, duke dhënë një përgjigje shteruese. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u pyet nëse do ta shpëtonte kreun e Kremlinit në një situatë hipotetike mbytjeje, ndihmë të cilën Putin do t’ia ofronte Obamës.

Barack OBAMA, President i SHBA: “Sigurisht që do ta shpëtoja zotin Putin nga mbytja! Do ta bëja me këdo! Duhet të keni parasysh faktin, se kur u zgjodha për herë të parë ideja e një ringjalle të marrëdhënieve mes dy vendeve ishte mbizotëruese, pasi ka një sërë interesash ku Shtetet e Bashkuara dhe Rusia takohen. Zoti Putin, përgjatë mandatit tim të dytë, ka një tendencë në rritje për ta parë botë në optikën e Luftës së Ftohtë dhe interesat e Rusisë në përplasje të vazhdueshme me ato të perëndimit. Nuk pajtohem në vlerësimet e mia për mënyrën se si duhen parë këto interesa, por ai është President i Rusisë!”

G7 në një deklaratë konfirmoi se po diskuton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, në rast se ky vend nuk përmbush detyrimet e firmosura në marrëveshjen e Gjenevës të javës së kaluar. Në Washington, një zëdhënës i Pentagonit tha se në 24 orët e fundit avionë të forcave ajrore ruse kanë shkelur disa herë hapësirën e Ukrainës, por pa dhënë asnjë detaj shtesë rreth këtij pretendimi. Ndërkaq, trupat ushtarake ruse vijojnë në shkallë të gjerë stërvitjen fare pranë kufinjve lindorë të Ukrainës.

TV KLAN