“Hetimet për gjyqtarët e Dritan Dajtit duhet të vazhdojnë”

Gjykata e Posaçme anti-korrupsion nuk ka pranuar kërkesën e prokurorit special Klodian Braho që të pushohen hetimet për 3 gjyqtarët që vendosën dënimi me 25 vite për Dritan Dajtin.

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pretendon se nuk ka asnjë provë dhe fakt për akuzën e korrupsionit të ngritur ndaj gjyqtarëve Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrika Alia që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dajtin, duke e dënuar me 25 vite burg.

Për shkak të akuzave të ngritura, çështja kaloi automatikisht në SPAK dhe prokurori i posaçëm, kërkoi nga Gjykata pushimin e hetimeve. Pas një seance që zgjati më shumë se një orë, gjyqtarja Miliana Muça vendosi të kthejë dosjen për hetime të mëtejshme.

 Tre gjyqtarët u vunë nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas akuzave publike se pranimi i gjykimit të shkurtuar që shpëtoi Dajtin, i dënuar për vrasjen e 4 policëve në 2009-tën, nga burgimi përjetë, ishte aferë korruptive.

Në shkurt të vitit të kaluar, banesat e tyre u kontrolluan me urdhër gjykate, por nuk u gjet asnjë provë që mund ti implikonte, sa i takon çështjes “Dajti”. Nga ana tjetër edhe gjyqtarët i kanë mohuar akuzat.

Tv Klan