Ulen infektimet me Covid në Maqedoninë e Veriut



Ulen infektimet me Covid në Maqedoninë e Veriut

19:09 08/05/2021

Më pak pacientë në spital, por mbeten të larta viktimat

Në Maqedoninë e Veriut, fillimi I Majit ka shënuar rënien e ndjeshme të infektimeve të reja me COVID-19, të personave të shtruar nëpër spitale dhe rasteve aktive me koronavirus.

Fatkeqësisht, numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet vijon të jetë i lartë. Vetëm këtë javë, deri të Premten, shënohen 131 viktima nga COVID-19.

Aktualisht, nëpër covid-qendrat e vendit trajtohen 806 pacientë, kurse para një jave ky numër ishte 1.147. Autoritetet e shëndetësisë njoftojnë për 11.296 raste aktive, në krahasim me 14.620 sa ishin para një jave.

Në Maqedoninë e Veriut, në Shkup dhe në gjashtë qytete tjera të vendit, ka filluar edhe imunizimi masiv I popullsisë, kurse sipas njoftimeve të MSH-së, deri tani janë vaksinuar mbi 105 mijë qytetarë, ndërsa afro 21.000 janë rivaksinuar.

Për të bindur qytetarët e Maqedonisë së Veriut se të gjitha vaksinat që përdoren janë të sigurta, Ministri I Shëndetësisë Venko Filipçe nëpër rrjetet sociale ka shpërndarë momentin duke marrë dozën e parë të vaksinës “Sinofarm” duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, si mënyrë e vetme për të mposhtur pandeminë. Fushata senzibilizuese e Ministrit të Shëndetësisë, vjen pasi në dy ditët e para të fillimit të procesit të imunizimit masiv, 50% e termineve të paracaktuara nëpër punktet e vaksinimit, nuk ishin shfrytëzuar.

Pas mbërritjes së 200 mijë vaksinave “Sinofarm”, Ministri Filipçe paralajmëroi se priten edhe 500.000 doza tjera nga Kina dhe 26.000 nga prodhuesi “Pfizer”, kurse për momentin mbetet e pasigurt ardhja e vaksinave nga “AstraZeneca”.

Klan Macedonia







Të ngjashme