Mbeten nën ujë toka e shtëpi në Shkodër dhe Lezhë

Ulja e intensitetit të reshjeve gjatë 24 orëshit të fundit solli një përmirësim të lehtë të situatës në vend. Niveli i lumit Vjosë ka rënë në 6.9 metra. Kryeministri Edi Rama pa nga afër manaxhimin e bërë në fshatin Çerven dhe lumin Gjanica, në Fier, 2 zona të njohura për problemet pas shirave të dendur. Rama tha se ato nuk u përmbyten fale investimeve të bëra nga qeveria.

Nënshkodra vijon të jetë nën ujë. Sipas raportit të publikuar nga prefektura e Qarkut, deri tani janë përmbytur 1585 hektarë tokë. Megjithatë, autoritetet thonë se situata po shkon drejt përmirësimit për shkak të ndërprerjes së reshjeve.

“Është pozitive që kemi një ulje të lehtë të ujit, disa centimetra. Pavarësisht se reshjet do të shtohen po bëhet një menaxhin shumë i mirë i kaskadës, Fierza po punon me porta të mbyllura dhe ka akoma rreth 10 metra rezervë. Nuk besoj se do të arrijmë në pika kritike. Edhe në Vaun e Dejës. Shpresojmë që nuk do të përkeqësohet”, tha Ministri Niko Peleshi.

Edhe drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Benet Beci u shpreh se shkarkimet ne Vaun e Dejës janë minimale.

Më e vështirë paraqitet situata në Lezhë, kureshjet intensive kanë shembur rrugën për në fshatin Ungrej, duke e bërë atë të pakalueshme. Rrëshqitje toke ka pasur edhe në lagjen e spitalit, ku janë evakuuar 40 familje të dy pallateve në rrezik.

Situatë problematike paraqitet edhe në zonën e Zadrimës dhe Kallmetit, ku uji ka hyrë edhe nëpër biznese.

Në Dibër, si pasojë e daljes së përrenjve është dëmtuar rruga në Njësinë Administrative Zall Dardhë, duke lenë të izoluar prej 48 orësh 13 fshatra. Pa komunikimin rrugor ka mbetur edhe zona e Lurës, ndërsa dy furgonë që shërbenin për transport udhëtarësh janë mbytur plotësisht.

Në Bashkinë e Durrësit, situata është e qëndrueshme, por probleme nga reshjet ka në njësitë e Sukthit, Katundit të Ri, Ishmit dhe Rrashbullit. 760 hektarë tokë ndodhet nën ujë. Me përkeqësimin e motit ekipi i emergjencave planifikon evakuimin e rreth 250 familjeve nga Katundi të Ri dhe Sukthi.

Përpjekjet janë fokusuar edhe në mbajtjen nën kontroll të hidrovoreve.

“Në Hamallaj, nga afër po ndjekim veprimtarinë e hidrovorit, i cili ka qenë i dëmtuar nga tërmeti, ndërsa sot siç e shikoni është në punë me kapacitet maksimal dhe të treja pompat funksionojnë pa ndërprerje. Kjo situatë do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe do të lidhet shumë me sasinë e reshjeve që bien këto ditë”, tha Ministrja Milva Ekonomi. 

Prani të madhe të ujit ka edhe në fshatrat e Bubqit në Bashkinë e Krujës. Disa shtëpi dhe sipërfaqe të mëdha toke gjenden Aktualisht në terren janë 261 forca të specializuara dhe mbi 1000 forca të tjera.

Tv Klan