Me fundin e sezonit veror, duket se ritmet e përhapjes së COVID-19 në vendet e Bashkimit Europian janë stabilizuar sërish. Spanja dhe Franca shfaqën shifra tepër të ulta infektimesh ditore krahasuar me javët e fundit kur në ditë të caktuara u shënuan mbi 8 mijë infektime në ditë.

Në 24 orët e fundit në Francë u shënuan rreth 3 mijë raste të reja, ndërsa në Spanjë afro 2500. Sfida e re e autoriteteve të vendeve europiane është mbajtja nën kontroll e përhapjes së pandemisë me rikthimin e nxënësve dhe studentëve nëpër shkolla, që nisi nga kjo javë në Gjermani e Francë.

Në raportin më të fundit, OBSH vlerëson se Europia e ka kapacitetin të menaxhojë pandeminë edhe pa një vaksinë, duke vendosur masa bllokuese lokale, pa qenë nevoja e bllokimeve në shkallë kombëtare.

1.4 milionë fëmijë u rikthen në shkolla në Wuhan të Kinës, vatra e pandemisë globale, ku shkollat ishin të mbyllura që prej Janarit. Në këtë vend nuk ka pasur raste të reja infektimesh brenda vendit, përveçse rastet e izoluara të ardhura nga jashtë.

Në të gjithë globin numërohen mbi 25.5 milionë të prekur, mes të cilëve mbi 850 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan