Epidemiologët: Shkak lëvizja e qytetarëve në zona të tjera

Ndonëse numri i të infektuarve nga Covid-19 po vjen në ulje për epidemiologët shqetësim mbetet zgjerimi i hartës së të infektuarve edhe në territoret më largëta të vendit.

“Kemi disa fshatëra, qytete apo bashki të vogla të cilët nuk kishin raste fare ose kishin shumë pak sepse njerëzit lëvizin nga një qytet në tjetrin, vizitojnë prindërit, të afërmit, dhe lëvizjet e njerëzve e krijojnë këtë situatë që përhapen rastet. Prandaj themi që duhen kufizuar sa më shumë lëvizjet, kontaktet. Nuk duhet të kënaqemi që numri i rasteve është ulur ”, tha Rovena Daja

Ekspertët shprehen se ka një ulje të të prekurve te të rinjtë, kryesisht në grupmoshat 10-19 vjeç si dhe 20-29 vjeç. Grupi i parë zë vetëm 4%  ndërsa i dyti përbën 13%  të të infektuarve në total.

Peshën kryesore të të infektuarve nga koronavirusi e zënë moshat 30 deri në 39 vjeç,me rreth 19% të totalit të të infektuarve, më pas renditen fashat moshore 40-49 vjeç dhe 50-59%  me nga 18% secila. Vdekshmëria e personave që janë infektuar nga koronavirusi është e lartë në moshën 60 vjeç e sipër me rreth 76% të numrit të viktimave.

Pavarësisht se në këtë moshë ka nisiur imunizimi masiv, ekspertët bëjnë apel për respektim të masave edhe pas injektimit të dozës së parë të vaksinës.

“Duhet që njerëzit të vazhdojnë të ruhen, madje të ruhen edhe ata që sapo kanë bërë dozën e parë vaksinës sepse duhet të paktën dy ose tre javë q ëtë krijohen antitrupa”, tha Daja.

Nga fillimi i pandemisë deri më tani raportohet zyrtarisht për 128 mijë të infektuar në rang vendi, prej të cilëve të infektuar aktivë janë rreth 29 mijë, 20 mijë vetëm në kryeqytet.

Klan News