Ulja e temperaturave ka kthyer sërish borën në juglindje dhe veri të vendit. Reshjet kanë qenë prezente prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në lartësitë mbi 1300 metra të qarkut të Korçës. Në Dardhë dhe Voskopojë trashësia e dëborës ka shkuar në 5 centimetra.

Kontraktorët ndodhen në terren për çdo situatë të krijuar nga moti, për pastrim dhe kriposje të rrugëve. Nuk ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por drejtuesit e mjeteve duhet të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Në veri të vendit, raportohet se në aksin Qafë Mali-Fierzë në mëngjes kanë filluar reshjet e dëborës, por nuk paraqet problem për qarkullimin. Për përdoruesit e automjeteve apelohet të përdorin goma dimërore. Në Bashkinë Fushë Arrëz, vijojnë reshjet e dëborës. Momentalisht trashësia e dëborës arrin rreth 6-8 centimetra. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa probleme.

Në akset e Hani Hotit-Tamarë, Vermosh dhe Bogë-Theth për shkak të uljes së temperaturave dhe prezencës së ngricave në rrugë është bërë kripsoja e tyre.

Reshjet e borës kanë prekur edhe qytetin e Peshkopisë në orët e para të mëngjesit, por me intensitet të ulët duke mos zënë shtresë. Në zonat e thella të Kalasë së Dodës, Selishtës, Lurës dhe disa njësi administrative të Bulqizës trashësia shkon afro 10 centimetra. Si pasojë e reshjeve nuk ka pasur probleme në asnjë nga akset rrugore, si ai Peshkopi-Tiranë, ashtu edhe ai Peshkopi-Kukës.

Në të gjithë territorin ka pasur furnizim me energji elektrike, me përjashtim të një lagjeje në Ostren ku janë dëmtuar disa shtylla prej gati 10 ditësh dhe nuk janë riparuar ende.

Tv Klan