Detaje nga vrasja e Matias nga i ati në Itali

Matias i vogël u gjet me një prerje në fyt nga nëna e tij. Ai që i mori jetën duke e goditur me thikë, sipas hetuesve ishte i ati, i cili tentoi vetëvrasjen. 10-vjeçari u vra në mënyrën më barbare, pa një arsye. Kur Mariola Rapaj, 30-vjeçarja shqiptare u kthye në shtëpinë e saj në Vetralla të Viterbese-s në Itali, e gjeti të birin të pajetë.

Matias jetonte me të ëmën, por këtë të mërkurë, nga shkolla rreth orës 13:30 e kishte marrë i ati, Mirko Tonkov. Ndaj 44-vjeçarit polak kishte një urdhër që e ndalonte t’i afrohej ish-partneres dhe djalit të tyre. Për mediat italiane, hetuesit zbuluan se gruaja kishte mbërritur në shtëpi rreth 2 orë më vonë, duke e gjetur të birin tashmë pajetë.

“Nëna sigurisht është në gjendje shoku, sepse sapo ka humbur të birin. Aktualisht po hetojmë ngjarjen e rëndë. Në banesë ishte edhe i ati, që e kishte të ndaluar t’i afrohej gruas dhe djalit”, sqaruan hetuesit për mediat italiane.

Po sipas këtyre të fundit, ishin ulërimat e Mariolës që alarmuan fqinjët, të cilët njoftuan karabinierët. 30-vjeçarja u kthye nga puna në shtëpi rreth orës 15:30. Nën shok, ishte ajo që zbardhi dinamikën e ngjarjes. Sipas të dhënave të deritanishme, çifti ishte në proces divorci.

Ai ndodhej aktualisht në një spital të Romës, i infektuar me Covid. Kur karabinierët mbërritën në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e rëndë, e gjetën Mirko Tonkov pa ndjenja në një prej dhomave. 44-vjeçari, që deri para pak muajsh punonte në një gomisteri, ndodhet aktualisht në spital.

Mirko ishte i njohur për forcat e policisë për shkak të episodeve të dhunës në të shkuarën. Gjykata e Viterbo një muaj më parë ia kishte ndaluar atij që t’i afrohej familjes.

Shkaqet që e çuan 44-vjeçarin të vriste djalin e tij vetëm 10 vjeç momentalisht janë të paqarta./tvklan.al