Pavarësisht se sektori i bujqësisë është shpallur si një nga sektorët prioritarë, në buxhetin 2024, bujqësia do të marrë të paktën 9% më pak financime se plani i këtij viti, i finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2023. Sipas ekspertit të bujqësisë Ilir Pilku, reduktimi i fondeve është një goditje shumë e rëndë për bujqësinë dhe blegtorinë.

“180 mln euro janë të pamjaftueshme për bujqësinë shqiptare dhe nëse do ta krahasojmë me vendet e tjera të Ballkanit. Maqedonia, vetëm 148 mln euro ka vetëm skemat kombëtare të mbështetjes. Konkurrenca nuk rritet pa mbështetje buxhetore. Ngrohja globale ka krijuar goxha efekte negative në bujqësi, pra kanalet kulluese, kanalet vaditëse. Kërkojnë para! Kemi rreth dy vite që nuk po investojmë për ujitjen dhe vaditjen.”

Tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që janë këtë vit.

Sipas ekspertit, Shqipëria aktualisht ofron mbështetjen më të ulët për fermerët në rajon, dhe me këtë reduktim do të preken disa fusha përfshirë edhe agroturizmin.

“Ne sivjet kemi pasur rreth 9 mln turistë të cilët në fund të fundit kërkojnë produkte shqiptare. Pra rritja e prodhimeve shqiptare në të gjithë zinxhirin e vlerës. Furnizimi i bujtinave duhej bërë me një buxhet pak më të lartë.”

Shkurtime të mëdha në buxhetin e parashikuar për bujqësinë për vitin e ardhshëm ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit me ulje rreth 28%, ose rreth 25 milionë euro.

Klan News