Në tregun amerikan pëson rënie kërkesa për naftë

Tronditet tregu i naftës. Një rënie me 11% është verifikuar gjatë ditëve të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare. Sipas analistëve, ende nuk mund të flitet për krizë, por ky mund të jetë sinjali i parë shqetësues për luhatje të tjera të rënda, që ndikojnë në ekulibrat ekonomikë botërorë.

Investitorët janë të preokupuar për rritjen e numrit të të infektuarve nga koronavirusi,  dhe edhe pse duket se qeveritë nuk marrin parasysh karantinime të tjera, pasiguritë ekonomike po ndikojnë ndjeshëm mbi planet e kompanive. Këto të fundit ngrijnë planet e investimeve, duke pritur stabilizimin e situatës shëndetësore.

Treguesi që alarmon ekonomistët është se gjatë dy javëve të fundit, kërkesa për karburant në tregun më të madh e të rëndësishëm botëror, në SHBA, ka rënë me 4%.

Ajo që shqetëson me tepër është pikërisht se çmimi i naftës së papërpunuar në SHBA dje ka rënë në 38 Dollarë për fuçi, ndërkohë që më 31 Gusht ishte 43 Dollarë. Edhe në tregun evropian, sipas indeksit londinez Brent, çmimi ka rënë nën 40 Dollarë, ndërkohë që në fund të Gushtit ishte 45 Dollarë.

Klan Plus