Rriten veprat në fushën e shëndetit dhe dhuna në familje

Niveli i kriminalitetit në shoqërinë shqiptare rezulton të jetë ulur gjatë vitit të pandemisë, duke regjistruar 7% më pak vepra penale se në 2019-n, ndërsa është rritur dhuna në familje, krimet në fushën e drogës dhe kundër shëndetit.

Sipas Institutit të Statistikave Shqiptare, gjatë vitit të shkuar janë kryer 32 736 vepra penale, mes të cilave 52 vrasje, 3909 vjedhje dhe 2086 krime në fushën e lëndëve narkotike.

Pranë autoriteteve publike janë referuar 164 më shumë raste të dhunës brenda familjes, 72 raste më tepër se gjatë 2019-s të krimeve kundër shëndetit dhe 97 më shumë vepra në fushën e drogës, ku edhe numri i personave të arrestuar rezulton më i lartë.

Veprat më të shumta penale dominohen nga shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, vjedhjet dhe dëmtimet e shëndetit.

Meshkujt përbëjnë 95% të autorëve të veprave penale, ndërsa dominojnë të rinjtë mes moshës 30-44 vjeç, të ndjekur nga grupmosha 18- 29 vjeç.

Vitin që lamë pas janë regjistruar në total 17 829 persona të dëmtuar, 5.5% më pak se në 2019-n dhe afro 1500 individë më pak se mesatarja e viteve të shkuara.

TV Klan