Prej 2 vjetësh, Ministria e Bujqësisë kërkon përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të inputeve bujqësore, ndërsa në diskutimet e buxhetit të vitit të ardhshëm Ministri i Financave ka pranuar të zbatojë një skemë të ndërmjetme: uljen e TVSH-së së inputeve, por po ashtu edhe uljen e përqindjes që u rimbursohet fermerëve. Ministri Niko Peleshi e ka marrë përgjigjen për këtë çështje nga vete shefi i qeverisë.

“Do bëjmë ulje drastike të TVSH-së për inputet bujqësore, sepse siguria lidhet me cilësinë e inputeve.”

Por kreu i qeverisë ka pranuar edhe një defekt që ka patur skema e rimbursimit të TVSH-së për fermerët, ku përfitimin më të madh ndaj saj e kanë patur pronarët e pikave të grumbullimit. Për këtë arsye rimbursimi i kësaj takse nuk do të jetë më 20%, por 6%, ndërsa TVSH-ja për farat, fidanët, plehrat kimikë dhe pesticidet do të bëhet 6% nga 20 që është sot.

“TVSH-në e inputeve do ta bëjmë nga 20 në 6% do të ulim po ashtu edhe TVSH e rimbursueshme që kryesisht e kanë përfituar grumbulluesit, kanë mungesë respekti për skemën pasi nuk e kanë ndarë me fermerët.”

Diskutimet për rishikimin e skemës së rimbursimit të TVSH-së dhe uljen e saj për inputet në bujqësi do të zhvillohen gjatë miratimit të paketës fiskale 2019-ë. Ministria e Bujqësisë pretendon se më shumë se gjysma e pesticideve në territorin tonë hyjnë kontrabandë duke rrezikuar konkurrencën e produkteve tona me tregjet europiane, por dhe sigurinë ushqimore. Përjashtimi i tyre nga kjo taksë synon të zhdukë kontrabandën duke bërë që fermerët të përdorin inputet e kontrolluara.

Tv Klan