Në nder dhe mirënjohje të ish-Presidentit George H.W Bush, flamuri kombëtar është ulur këtë të mërkurë në gjysmështizë. Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti Ilir Meta.

“Në nderim e mirënjohje të veprës së vyer të Presidentit të 41 të SHBA-ve, George H.W Bush ndaj ndryshimeve të para demokratike në Shqipëri e qëndrimit të tij të palëkundur për liritë e të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, në vlerësim e respekt të thellë ndaj betejës së tij të palodhur për lirinë dhe shembjen e Murit të Berlinit, Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidencës është ulur sot në gjysmështizë”,

shkruan kreu i shtetit shqiptar në një postim në rrjetet sociale.

George H.W Bush u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare, më 30 Nëntor. Ai ishte një president vendimtar edhe për fatin e shqiptarëve. Në Dhjetor 1992, Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtuar presidentit serb Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga Beogradi, SHBA-të do të ishin gati të përdornin forcën ushtarake. Pavarësia e Kosovës u arrit nën presidencën e djalit të tij George W. Bush, në Shkurt 2008.

/tvklan.al