519 janë shëruar nga 789 të prekur

7 raste të reja me koronavirus janë zbuluar në tre bashki të vendit përgjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 789 totalin e personave të prekur nga Covid-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 171 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe vetëm në tre bashki kemi të prekur, ku përkatësisht në Tiranë kemi 5 persona që kanë rezultuar positive, 1 rast në Krujë dhe 1 rast i importuar në Kukës i evidentuar në qëndrën karantinë të këtij rajoni. Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 789 qytetarë”.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë aktualisht kemi 13 qytete me prezencë të koronavirusit, ndërsa numri i të shëruarve është dy herë më i lartë se i të sëmurëve aktiv.

“Janë 519 të shëruar. Kalimi i zonave aktive në zona jo aktive për COVID19 ka zgjeruar hartën e të shëruarve në gjithë vendin. Aktualisht në vendin tonë janë 239 pacientë aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 31 pacientë (11.4%) dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”.

Duke ju referuar të dhënave aktuale, epidemiologët vlerësojnë se situata epidemiologjike është e qëndrueshme. Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, të gjithë gjatë trajtimit në spital.

Tv Klan